Pas lindjes së bebes edhe ndërrimi i bebelinës ka vështirësitë e veta. Mbaj mend herët e mia të para kur nuk përgatitesha si duhej dhe për pasojë vrapoja nëpër shtëpi me bebin zhveshur për të marrë kremin, peshqirin apo diçka tjetër. prandaj më duhet t’ju them se gjëja e parë që duhet të bëni në këtë rast është të përgatisni të gjitha sendet që ju duhen.

Nuk ka rëndësi nëse është tavolina e ndërrimit apo krevati sipër duhet të vendosni gjithmonë një copë të posaçme për ndërrimin e bebelinës, nuk i duhet asnjëherë çfarë surprize mund të gjeni brenda! E përse të rrezikoni për të larë të gjithë batanijen apo tavolinën? Nga ana tjetër edhe për bebin është më tepër higjenike copa e ndërrimit, prandaj kështu veproni!

Sendet që na duhen gjatë ndërrimit të bebelinës

Gjithmonë kam preferuar ujin qoftë edhe kur bebi kishte bërë vetëm urinën. Kështu nuk rrezikoni që lëkura të acarohet. Prandaj ju duhet një legen me ujë të ngrohtë, një peshqir, kremi, bebelina, letrat e lagura, shampoja.

Si të proçedojmë?

Në rast se bebi vetëm ka urinuar ju mund ta shpëlani direkt me ujë ndërsa në rast se bebushi ka defekuar mund ta pastroni mirë e mirë me letra të lagura dhe më pas ta lani me ujë dhe shampo. Pra në rast urinimi vetëm uji pa shampo do të ishte i mjaftueshëm. Një alternativë do të ishte edhe larja e bebit në lavamanin e banjos, pra pa marrë legenin me ujë në dhomën ku po bëhet ndërrimi.

E fshini bebin me peshqir dhe më pas e lini pak sekonda të ajroset lëkura. Kjo e ndihmon që të mos irritohet, pra si një metodë parandalimi. Duhet të keni parasysh se bebet kanë tendencën të urinojnë kur bien ne kontakt me ajrin prandaj për ta parandaluar mund ta mbani disa sekonda më shumë në legen (që të mos përfundoni me ndonjë surprizë në fytyrë sidomos nësë është djalë).

Lexo edhe: Perse peshqiri i femijes duhet te jete i ndryshem nga i prinderve?

Aplikoni një shtresë të hollë kremi dhe vendosni bebelinën. Kremi do të ishte mirë të mos përdorej me bazë të lartë zinku nëse fëmija nuk ka skuqje, pra një krem i thjeshtë dhe cilësor për përdorim të përditshëm do të mjaftonte.

Vendosni bebelinën poshtë bycës së bebit duke e hapur plotësisht. Ajo duhet të pozicionohet sa më drejt dhe më pas mbyllen ngjitëset anësore duke u puthitur mirë. kujdes! Bebelina duhet të ketë një hapësirë prej 1 gishti në zonën e barkut. Nëse qëndron më tepër e shtrënguar atëherë nevojitet një numër më i madh.

Mund t’ju interesoje edhe:

Per cfare ka nevoje nje bebe premature?