Si nënë dhe si qytetare e dëgjoj shpesh këtë shprehje. Nëse një bisedë rreth ushqyerjes, larjes, veshjes së fëmijës etj do të jetë duke u zhvilluar, dhe në bisedë do të përfshihet një zonjë apo zotëri me një moshë mesatare mbi 45 vjec do të jetë e paevitueshme shprehja…

“Po ne si ju kemi rritur?”

Me shumë mirësjellje i drejtohem personit që është duke e thënë se na kanë rritur me shumë vuajtje! Me shumë fat që në periudhën kur ne kemi qënë fëmijë ushqimet kanë qënë tepër të kontrolluara. Nëse nëna na jepte domate, mish, djathë, vezë e dinte shumë mirë se cfarë ishim duke ngrënë. Deri këtu mund të them se kemi qënë “me fat”.

Por edhe me shume vuajtje! A mund ta quajmë normale që një fëmijë të ushqehet me niseshte dhe qumësht? A mund të jetë normale dhe mbi të gjitha, a mund të jetë e shëndetshme që një fëmijë të ushqehet me sheqer, kripë, salce domatesh, gjellë me vaj dhe perime apo vezë të skuqura ndërsa stomaku është ende tepër delikat? Të mos përmendim që këto ushqime mund të jenë të dëshme në cdo moshë nëse tejkalohet sasia.

Prandaj me shumë dashuri dhe respekt i përgjigjem të gjitha zonjave që “udhëzojnë” bijat apo nuset t’i rrisin si dikur. Duke u justifikuar me shprehjen “po ne si ju kemi rritur” se janë duke rrezikuar shëndetin e fëmijës.

Se një bebe nën 1 vjec nuk i jepet mjaltë. Edhe nëse është BIO, edhe nëse ka kollë, edhe nëse po i ofrohet “një majë luge”. Sepse botulizmi nuk zgjedh, nuk përton të prekë fëmijën as nëse mjaltin e keni prodhuar vetë!

I drejtohem me shumë dashuri të gjitha nënave dhe gjysheve, kujdes me frutat! Edhe nëse portokalli, pjeshka, kajsia janë të kopshtit mos ja jepni fëmijës nën moshën e rekomanduar nga mjeku. Sepse është e gabuar, sepse mund të shkaktohet alergji tek fëmija. Sepse mund të rrezikohet shëndeti i tyre. Nese vite me pare e keni bere nuk do te thote detyrimisht se ka qene zgjedhje e drejte.

Me shumë dashuri për të gjitha gjyshet kryesisht, dhe nënat përgjithësisht…

Kujdes me ushqimet, kujdes me qumështin e lopës! Më parë na kanë dhënë qumësht lope? Po na kanë dhënë e pranoj, edhe unë kam pirë që në muajin e 6 të jetës. Por zgjedhja ndaj pamundësisë nuk duhet të konsiderohet si primare në ditët e sotme. Sepse pasojat e një ushqyerje të keqe nuk shfaqen menjëherë, ndoshta jo menjehere ndoshta jo brenda një apo 5 viteve. Po flasim për mirëqënie afatgjatë të fëmijës, për shëndet të mirë edhe ndërsa ai do të jetë në moshë madhore.

Cdo ditë mjekët vendosin alarmin mbi rreziqet e përdorimit të qumështit të lopës apo dhisë nën 12 muajsh. Po vendosin alarmin në lidhje me lidhjen e bebave, në lidhje më rituale të cuditshme si larja me vezë dhe ende ka shumë familje që zgjedhin t’i praktikojnë. Ka ende shumë nëna që këshillohen nga vjehrra apo nëna e tyre të fillojnë ushqimin e fëmijës edhe në muajin e parë apo të dytë të jetës. Po, po mos u cudisni! Jam përballur me shumë raste dhe nuk mund ta besoni që ka qënë e pamundur që të ndryshohej ajo bindje.

Prandaj nëna…

Miket e mia, bashkëmoshataret e mia! T’i falenderojmë nënat që na kanë rritur me shumë sakrifica dhe vështirësi. Me vuajtje dhe metoda primitive. Por le të mos i praktikojmë edhe ne ne ditet e sotme. Sepse duke marrë parasysh periudhën në të cilën kanë jetuar ka qënë e vështirë të vepronin ndryshe.

Dëgjoni mjekët tuaj në lidhje me rritjen e fëmijës. Debatoni me ta në kuptimin e mirë të fjalës nëse shikoni dicka të gabuar tek këshillat që ju jep. Lidhja në djep, lidhja me napa apo carcafe, qëndrimi 40 ditë në shtëpi, mbyllja e fëmijës brenda në dimër. Ushqyerja sipas stilit “1970”, larja sipas metodave primitive dhe cdo gjë tjetër nuk ka asnjë vlerë. Madje eshte e rrezikshme.

Zgjidhni për fëmijën një dietë të balancuar me drithëra, fruta, perime, mish, djathë, vaj me origjinë bimore për t’i përdorur mbi 6 muajsh. Në rastet e tjera në muajin e 4 nëse pediatri e shikon të arsyeshme. Deri atehere qumeshti i nenes apo i formules eshte mese i mjaftueshem per te.

 

Me shume dashuri per te gjitha nenat

Bota e Gruas.