Kohët e fundit i gjithë rrethi jonë shoqeror e konsideron bashkëshortin tim “të vecantë”. Kjo diskutohet kudo që ne jemi prezent ose jo. Edhe pasi biseda ka përfunduar mua nuk harrojnë të më thotë: “Edhe kur ishim me X po flisnim për fëmijët dhe të gjithë mendojmë se bashkëshorti jot është i vecantë”.

Tani, me siguri po mendoni se i referohen faktit që është më i mirë se unë? Më i bukur, më i gjatë, më i zgjuar… Jo jo, prisni! I referohen bashkëshortit tim si baba!

Për ta ai është i vecantë sepse kujdeset për fëmijët e tij. Për ta është i vecantë që nuk ju bërtet, që kontrollon cfarë do të hanë cdo ditë, zgjedh kursin e duhur. Ju bën një dush (edhe pse unë mund të jem në shtëpi). Për ta ai është i vecantë sepse përpiqet t’i qetësojë kur qajnë dhe mbi të gjitha që i mban cdo pasdite nga dy orë vetëm që unë të shkoj në palestër! E besoni apo jo edhe mua më duket se është i vecantë! Sepse është bashkëshorti im dhe e kam zgjedhur pikërisht sepse është i tillë!

Por le të sqarojmë dicka…

Të gjithë bashkëshortët për gruan e tyre janë dhe duhet të jenë të vecantë. Kjo përsa kohë ka respekt reciprok dhe dashuri, empatizëm në mes. Por të mos e ngatërrojmë gjithë këtë me rolin si baba. Duke e falenderuar pafund babain e fëmijëvë të mi që është një baba i mrekullueshëm dua të shpreh këndvështrimin tim.

Tani, përse ai është i vecantë ndërsa unë bëj detyrën?

Të dy zgjohemi herët në mëngjes, të dy ikim në punë gjithë ditën. Më pas ndërsa ai kujdeset ose jo në një moment të caktuar për fëmijët. Unë jam duke u kujdesur që të tre të kenë një ambient si duhet për të jetuar të qetë. Kujdesem cdo ditë për veshjet e tyre, carcafët e peshqirët, kujdesem për ushqimin, shtëpinë, pagesat e faturave. Gjithashtu punën e dytë që mund të bëj për të siguruar në fund dicka më shumë për familjen. E ndërkaq perse une deri këtu jam duke bërë thjesht “punën time”? Ndërsa bashkëshorti im është duke u kujdesur për fëmijët është i vecantë?

Mendoj se dicka shkon keq

Në shoqërinë tonë dhe që duhet të ndryshojë në mënyrë urgjente. Nuk mund t’i japim një babai privilegjet e të kujdesurit për familjen “kur ai të ketë kohë”. Ndersa nënën ta masakrojmë në detyra. Sepse në jo pak raste pikërisht ai babai që gjatë viteve të vegjëlisë ska dhënë asgjë gjykon nënën “se ke edukuar si duhet”. Po ti i dashur baba cfarë ke bërë kur ajo po i edukonte keq? Ishte pranë saj dhe fëmijëve të tu? Ishe duke gjetur rrugën e drejtë të edukimit, mënyrën e shëndetshme të ushqyerjes? Ishe duke zgjedhur edhe ti njësoj si bashkëshortim im dhe shumë të tjerë që veprojnë si ai? Ndoshta një kurs të denjë për djalin apo vajzën?

Sepse ne si shoqëri jemi të parët për të gjykuar, madje pa mëshirë edhe nënën e fëmijës duke privilegjuar babain. Jo! Roli i babait nuk filloi dhe mbaroi tek seksi! Filloi atje dhe nuk mbaron asnjëherë. Deri në castet e fundit të jetës si baba. Njësoj si edhe nëna. Prandaj ti baba i dashur, njësoj si edhe bashkëshortim im nuk ndihmoni gruan. Ndani me të përgjegjësitë që ju takojnë të barabarta që nga dita e parë e ngjizjes.

Dhe meqe ra fjala jemi kohë pushimesh…

Mjaft qëndruat në ndonjë hije shezlongu duke lexuar të rejat e fundit nga mediat e shkruara apo ato online. I merrni dijet në ndonjë moment tjetër. Rehatia personale nuk ka asnjë vlerë para asaj familjare. Nuk është koha të shohim nëna me 15 komardare, 12 biberona, 7 peshqirë dhe dy beba kapur nga dora të vijë rrotull nëpër hotel. Është koha që të kuptosh seriozisht përgjegjësitë dhe të sfidosh veten në të qënit ose jo një baba shembullor.

Dhe ju, e gjithë shoqëria mjaft e konsideruat bashkëshortin tim të vecantë, sepse shprehur edhe më sipër ështe dukshme që i tillë është për mua. Për mua ai është një baba i mirë, që ka kuptuar si duhet detyrat e veta. Që i do fëmijët, mua, familjen dhe harmoninë në shtëpi. Që dëshiron qetësinë e secilit prej nesh, të fëmijëve mbi të gjitha. Sepse ai e ka kuptuar që kur unë jam më pak e lodhur gjithcka në shtëpi shkon më mirë, edhe ai vetë ndihet më pak i lodhur pavarësisht se mund të ketë bërë më shumë. Fëmijët janë dashuria më e madhe në jetë dhe është mizore t’i konsiderosh “barrë” që nuk i takon babait. Prandaj cohu dhe bej pjese ne grupin e baballareve qe e konsiderojne neglizhencen e kujdesjes ndaj femijes dicka qe duhet luftuar!

Për të gjithë bashkëshortët, nga ky moment kujdesuni më shumë për fëmijët dhe familjen, ndani përgjegjësitë sepse edhe bashkëshortja juaj mund t’ju duket me humor më të mirë. Më besoni! ju keni shume ne dore qe familja te jete e lumtur dhe punet te shkojne me mire.

 

Artikulli i perket/botaegruas.com