Duke plotësuar nevojat e fëmijës në cdo moment edhe ai do të ndihet më rehat, do të sillet më qetë. Prandaj kemi menduar të sjellim një guidë në lidhje me përkujdesjet që duhet t’i jepni fëmijës.

Këshilla në lidhje me ushqyerjen e fëmijës

Gjëja e parë që duhet të dini është se duhet të hiqni nga mendja fjalët “skam mjaftueshëm qumësht”. Fëmija vetë do të stimulojë prodhimin e qumështit dalëngadalë. Më shumë kohë do të kalojë i vogli tek gjoksi, më tepër qumësht do të prodhohet. Kulloshtra është tepër e vlefshme për shëndetin e fëmijës si edhe për zhvillimin. Mos u shqetësoni në lidhje me sasinë pasi i porsalinduri do të ngopet edhe me sasi tepër të vogël.

Si të rregullojmë gjumin e fëmijës?

Ekspertët tregojnë se një i porsalindur mund të flejë në total deri 18 orë në ditë. Sipas mjekut pediatër nga Venezuela Miguel Raga nëna duhet që nga dita 15 e jetës të vendosë njëfarë orari. Sipas tij fëmija duhet të zgjohet në orën 06:00 për t’u ushqyer dhe më pas kjo gjë të përsëritet cdo tre orë. Përkatësisht fëmija duhet të ushqehet në 06:00, 09:00, 12:00, 15:00, 18:00, 21:00.

Pas vaktit të fundit sipas mjekut fëmija do të flejë më mirë dhe nëna normalisht krahas orareve të përcaktuara duhet t’i japë të pijë edhe kur fëmija e kërkon. Sipas kësaj metode shumë nëna kanë arritur ta bëjnë fëmijën të flejë gjatë gjithë natës duke filluar nga muaji 2 i jetës.

Fecet e fëmijës, një guidë për nënat

Fecet e para të bebes janë tepër të errëta. Me ngjyrë midis jeshiles së errët dhe të zezës. Kjo ndodh për arsye se fëmija bashkë me jashtëqitjen nxjerr edhe sekrecionet apo mukusin që është mbledhur tek zorrët në barkun e nënës. Disa fëmijë mund të defekojnë 2 herë në ditë dhe të tjerë mund të arrijnë deri 48 orë pa defekuar aspak. Të gjitha detajet duhet t’ja tregoni mjekut në takimin e radhës.