“Është e drejta e fëmijës tim të ushqehet, dhe nëse kjo të bezdis mund të mbulosh kokën me batanije.”

Është ky mesazhi që ka përcjellë para disa javesh në një formë tepër të këndëshme bukuroshja Elita Rudi në mbështetje të gjidhënies në publik. Ajo shfaqet në një foto tepër e kuruar si gjithmonë, teksa ushqen të voglin e saj, Zërin. Tashmë e bërë nënë e di mirë se cfarë do të thotë të gjykohesh edhe nëse ushqen fëmijën me qumësht gjiri.

Të mos harrojmë se shpesh herë shumë nëna gjykohen, prandaj përpiqen të nxitojnë për në shtëpi sapo fëmijën e merr uria. Por përse duhet të ndodhë kështu? Përse gjoksi në atë moment duhet të shikohet si një “objekt” seksual? I turpshëm, ndërkohë që një veshje që e ekspozon në mënyrë vulgare nuk konsiderohet e tillë?

Përse fëmija duhet të presë derisa nëna të shkojë në shtëpi apo makinë që të ushqehet? A nuk është nevoja e tij primare për nënën? A nuk duhet të jetë e tillë për gjithë shoqërinë?

Pra mesazhi është i qartë, nëse dikush turpërohet dhe bezdiset nga gjoksi juaj të mbulojë kokën. Të largohet! Sepse nevojat e fëmijës janë primare. Të mos harrojmë se edhe gjidhënia stimulohet më mirë nëse fëmija pi shpesh. Nga  ana tjetër një fëmijë i frustruar, që ka kërkuar gjoksin për një kohë të gjatë dhe nuk e ka marrë do ta ketë të vështirë të pijë.

Për të gjitha nënat, mos keni siklet të ushqeni fëmijët kudo dhe kurdo. Shoqëria të mësohet të pranojë se gjoksi në atë moment nuk duhet të konsiderohet objekt seksi. Veprimi jo si vulgar dhe i papranueshëm. Sepse nëse do të shohim përreth asaj nëne që ushqen fëmijën me gji do ta kuptojmë se të tjera zhveshje dhe veprime janë vërtet të papranueshme!