Në momentin që bebi fillon të qajë ndoshta edhe ti si nënë fillon të shpresosh nga thellësia e shpirtit që të zgjasë sa më pak. Sigurisht që kërkon më të mirën për fëmijën tënd, ndihesh keq kur ka dhimbje, por më e keqe se kjo është kur ndihesh e pafuqishme për ta ndihmuar.

Më ka ndodhur që menjëherë pas lindjes të ndihesha keq, e para pasi bebi kishte diçka që e shqetësonte, të cilën nuk dija ta identifikoja dhe e dyta sepse trupi im përjetonte dhimbje pas çdo lëvizje. Rrija me orë të tëra duke e tundur me shumë siklet nëpër shtëpi dhe pas pak kohe nervozohesha, doja pak qetësi, doja që dikush të vinte drejt meje dhe në vend të fjalëve apo sugjerimeve ta merrte në krah beben time dhe të mundohej të na ndihmonte të dyve.

Nuk kaloi shumë kohë dhe fillova të kuptoja se sa më shumë unë përjetoja nervozizëm aq më shumë bebi qante. Ishte si të jetoja në një rreth vicioz nga i cili mund të dilja me vështirësi, e ndonjëherë më dukej sikur ato momente nuk do të përfundonin kurrë!

Por kjo nuk ishte e vërtetë, çdo ditë pasoi tjetrën dhe tani që fëmijët e mi janë të rritur mendoj se shumë gjëra mund t’i kisha bërë ndryshe, shumë gjëra mund t’i kisha përjetuar dhe përballuar më mirë, por si mund ta bëja këtë kur kisha aq pak informacion dhe aq shumë gjëra të reja para vetes?

Si të ndihesh mirë ti si nënë kur fëmija qan pa pushim?

Doja me patjetër ta prekja këtë çështje, mendoj se askush nuk flet për të sa duhet! Pas lindjes së bebes çdo gjë fokusohet tek ai dhe ti si nënë ngelesh disi në “hije”, e ndonjëra prej nesh ka fatin e mirë të ketë mbështetjen e bashkëshortit i cili në më të shumtën e rasteve qëndron atje në pritje për të bërë diçka me po aq ose edhe më shumë dyshime se vetë nëna.

Atëherë për ty ndoshta është shumë e rëndësishme të dish se nuk je e vetmja, se të gjitha nënat e përjetojnë frikën, ankthin, nervozizmin, pasiguritë dhe se është një situatë e cila kalon nëse ti dhe personat që të rrethojnë e trajtojnë me seriozitetin që i takon.

Fëmija qan!

Nuk do të thotë se je nënë e keqe nëse kërkon ndihmë!

Ti përpiqesh ta qetësosh dhe në një pjesë të mirë të ditës dëshiron të qash më fort se bebi. E njoh mirë këtë ndjenjë, madje mbaj mend se gjëja e parë që mami më tha kur nervozohesha ishte “qetësohu pasi fëmija i ndien të gjitha!” Fillimisht mu duk ndonjë nga ato idetë pa kuptim që dëgjojmë shpesh pas lindjes por më pas e kuptova sa të drejtë kishte… dhe e dini se çfarë bëja në këto raste? E udhëzoja bashkëshortin tim apo këdo që kisha pranë për momentin të mbante pak bebin në krah ndërsa unë dilja pak jashtë në ballkon, dritare, oborr për të marrë qoftë edhe 5 minuta ajër.

Instikti i nënës vlen më shumë nga sa ti mendon!

I dhemb veshi, i dhemb barku, nuk pi mjaftueshëm, mos ka vapë?

Krahas të qarës së fëmijës më të vështirë ta bëjnë edhe mendimet që të gjithë marrin të drejtën të japin. Në këto raste ndihesha sikur dikush po më mbyste, po më merrte edhe atë pak forcë që kisha. Sapo kisha sjellë në jetë një bebe dhe e dimë që kjo të merr një pjesë të madhe të energjive.

Atëherë në këto raste mëso të dëgjosh “zërin e brendshëm” është instikti i nënës që nuk të lë të gabosh, dhe nëse ke dyshime bëji një telefonatë pediatrit. Nëse identifikon arsyen e të qarës së bebes do ta kesh më të lehtë ta menaxhosh dhe të ndihesh më mirë me veten.

Kalo pak kohë pranë nënës tënde!

Mund të kesh pranë këdo, një morri njerëzish që përpiqen të të ndihmojnë, por pas lindjes vlera e nënës del edhe më tepër në pah. E dua aq shumë bashkëshortin tim, është aq i dashur dhe i përkushtuar, megjithatë nëna pas lindjes ishte ajo figura që të bën të ndihesh më mirë dhe më e qetë.

Bëj një shëtitje!

Pas lindjes së parë u mbylla në shtëpi me frikën se fëmija do “të ftohej”. Kjo gjë më bëri të ndihesha tepër nervoze, dhe kështu edhe ai qante më tepër. Me lindjen e radhës nuk e bëra këtë gabim. Shëtisnim bashkë dhe ndiheshim mirë, përjetova më pak të qara dhe më tepër qetësi për veten time.

Mund të dalësh për pak kohë nga shtëpia edhe pa bebin!

Edhe nëse e ushqen me gji bebin mund ta bësh këtë. Si? Në momentin që fëmija pi mjaftueshëm dhe më pas fle gjumë ti mund të dalësh diku për një orë duke e lënë bebin me dikë të besuar. Kur të kthehesh do të kesh më tepër energji edhe nëse bebi qan mjaftueshëm.

Si nënë mendoj se këto janë disa nga pikat kyçe që mund të të bëjnë të ndihesh më mirë ndërsa bebi qan. Dhe mos harro diçka, në këto momente nuk je ti fajtore, nuk ke bërë asgjë të gabuar. Ai është tepër i vogël dhe është ende duke u përshtatur me botën e jashtme!

Artikuj te rekomanduar:

Si te qetesojme kolikat e bebes?

Cfare keshillon sociologia Marsida Simo per te gjitha nenat e reja?

 

 

 

 

Facebook Comments