Java Botërore e Ushqyerjes me Gji është një aksion madhor. Zhvillohet çdo vit në rang botëror gjatë javës së parë të muajit Gusht, i organizuar nga WABA (Aleanca Botërore për Veprim për Ushqyerjen me Gji) dhe i mbështetur fuqimisht nga UNICEF dhe OBSH. Kjo javë i përket periudhës 1-7 gusht.

Në vendin tonë, kryesisht është  Instituti i Shëndetit Publik që merret me fushatat ndërgjegjësuese për nxitjen e nënave që t’i ushqejnë foshnjat me qumësht gjiri si dhe ta zgjasin sa më tepër këtë proces në kohë.

Në krahasim me vendet e tjera të zhvilluara, nënat e vendit tonë vijojnë të jenë të edukuara me frymën e sakrifikimit për foshnjen dhe ushqimin me gji e shohin shumë normale si proces.

Në studimet e kryera nga Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF. OBSH, ka një rritje të përqindjes së ushqyerjes së fëmijëve vetëm me qumësht gjiri për 6 muajt e parë nga 6% që ishte në vitin 1999 në 39% që rezultoi në studimin e fundit kombëtar demografik dhe shëndetësor shqiptar. Duke qëndruar në shifra të kënaqshme kur e krahasojmë me ato të botuara nga OBSH për vitet 1995-2010.

Sipas një sondazhi online, nënat janë pyetur nëse ato i kanë ushqyer me gji foshnjet e tyre:

74% thanë se po, i kanë ushqyer të vegjlit e tyre me qumësht gjiri. Ndërsa pjesa tjetër 26% me qumesht artificial apo siç ka dhe nëna që për arsye ekonomike i kanë dhënë fëmijës qumësht lope, e cila sipas mjeksisë nuk është e këshillueshme.

 

Arsyet

Ndër arsyet kryesore që dominojnë në lidhje me mos ushqyerjen me gji lidhet me ikjen e nënës në punë. Edhe pse leja e lindjes supozohet që me ligj të merret ku nëna e re të kalojë kohë mjaftueshëm me foshnjen e saj. Shumë prej punëdhënësve në kompani private nuk do e prisnin nënën e re aq gjatë. Nën këtë presion ajo është e detyruar ta shkepusi gjidhënien duke e zëvendësuar me qumësht artificial. Një pjesë tjetër e nënave, pavarsisht tentativave, nuk kanë patur qumesht mjaftueshem që në fillim. Mos harrojmë që shumë nëna kalojnë edhe probleme shendetsore të cilat mund të jenë të shumta dhe të ndryshme. Që çojnë në ndalimin e gjidhënies.

 

Një nënë shkruan:

”Une nuk kam mundur ta ushqej me gji sepse nuk kam pasur. Shume më kritikojnë për këtë. Ndoshta duhet ta kisha provuar më shumë dhe deri sot që vajza ime është 3 vjeç më rri mendja aty.”

Ndjenja e fajit

Qumështi i gjirit nuk diskutohet më që është thelbësor dhe i rëndësishëm për fëmijën, por nëse një nënë nuk mundet dhe nuk ka, ajo duhet të vijojë ecurinë e fëmijës dhe jot ë bëjë hapa prapa duke rënduar psikologjinë e saj. Shpesh edhe familjarët apo rrethi shoqëror në vend që të jetë ndihmues për nënën e re, i shenjestron asaj faje të cilat nuk i përkasin. Edhe kur nënat kanë qumësht gjiri, ato sërish dëgjojnë fjali si : nuk ke mjaftueshëm, nuk e ngop, e ke shumë të trashë qumshtin ,e ke shumë të hollë.

Nëna të dashura, shëndeti juaj mendor është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. Një shqetësim që përjetoni transmetohet tek fëmija juaj. Bota nuk rresht kurrë së kënaquri, dhe ju mos tentoni ta bëni. Shijoni fëmijën tuaj dhe ushqehuni me optimizëm.

Nga sociologia Marsida Simo