Operacioni cezarian është një mënyrë për të sjellë në jetë fëmijën në rastet kur lindja vaginale nuk është e mundur. Duke qënë një teknikë kirurgjikale do të shoqërohet me dhimbje si edhe gjakderdhje post-operative.

Por, sa zgjat kjo gjakderdhje pas nje operacioni cezarian tek nënat e reja?

Për disa ditë gjakderdhja është normale pas operacionit cezarian. fluksi do të jetë më i madh se gjakderdhja gjatë ciklit. Mesatarisht koha e zgjatjes është 2-6 javë pas lindjes. Fillimisht gjaku do të jetë me fluks më të madh dhe me ngjyrë të kuqe të theksuar. Më pas me kalimin e kohës pas operacionit cezarian ngjyra do të zbehet duke marrë shpesh edhe nuancën e rozës. Në fund mund të pasojnë sekrecionët e verdha pastaj të bardhat.

Si ta kuptojmë se jemi duke humbur më tepër gjak nga normalja?

Simptomat janë:

  • Do të keni nevojën për të ndërruar pecetat intime në më pak se dy orë si pasojë e fluksit të madh pas operacionit cezarian;
  • Jeni duke nxjerrë copa të mëdha gjaku;
  • Jeni duke përjetuar shenja të tilla si frymëmarrje e shkurtër, rrahje të shpeshta zemre, këputje etj.

Pas operacionit cezarian, kur duhet të shkoni menjëherë tek mjeku?

  • Gjakderdhja vazhdon edhe pas javës së 6 nga lindja;
  • Keni gjakderdhje shumë të madhe;
  • Jeni duke nxjerrë nga trupi gjak me copa të mëdha;
  • Keni aromë shumë të keqe në zonën vaginale;
  • Jeni duke përjetuar temperaturë dhe ethe;
  • Nuk keni gjakderdhje gjatë dy javëve të para pas operacionit cezarian.