Fyti i skuqur zakonisht shfaqet si pasojë e një infeksioni viral, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë si shkak edhe një bakter. Më i shpeshti që infekton fytin është streptokoku. Gjithsesi ky i fundit shkakton skuqje më tepër tek fyti i të rriturve, më rrallë tek fëmijët apo bebet.

Përsa i përket faktorëve të ajrit ndikon tymi i duhanit (edhe ai pasiv), piklat e pështymës së qenit apo maces, pluhuri dhe poleni. Gjithashtu edhe pemët apo bari mund të krijojnë shqetësime tek fyti i vogëlushave. Në këtë rast simptomat do të jenë edhe riniti apo temperatura.

Skuqja e fytit tek fëmija, kur duhet të shkojmë tek mjeku?

Normalisht nëse shikoni që fyti i fëmijës është i irrituar duhet të shkoni për vizitë tek mjeku sidomos nëse:

  • Fyti është i skuqur, i fryrë dhe me pus;
  • Nëse vëreni se fëmija gëlltitet me vështirësi;
  • Si pasojë e fytit të irrituar fëmija merr frymë me vështirësi;
  • Nëse fëmija ka mungesë oreksi, shenja dehidratimi, qafë të ngrirë, nxjerr shumë jargë.

Nëse fyti i fëmijës nuk është shumë i acaruar por kjo gjendje zgjat më tepër se 1 jave shkoni sërisht tek mjeku.

Gjithashtu drejtojuni mjekut nëse fëmija është nën 3 muajsh dhe shfaq temperaturë 38 ose më shumë gradë. Nëse është mbi 3 muajsh kontaktoni mjekun për temperaturë mbi 38.3 gradë dhe nëse fëmija është mbi 6 muajsh kontaktoni për temperaturë mbi 39 gradë.

Fyti i skuqur, si trajtohet?

Për infeksionet virale nuk nevojitet ndonjë trajtim. Sistemi imunitar i fëmijës mund të largojë një virus brenda 1 jave. Në këtë rast fëmija duhet të pushojë si edhe të hidratohet. Nëse infeksioni është bakterial mjeku mund të këshillojë një mbjellje të fytit. Dhe në rastin e infektimit nga streptokoku mjeku mund të përshkruajë antibiotik. Në rastet më agresive të infeksionit të fytit mjeku mund të rekomandojë shtrimin e fëmijës në spital për të marrë mjekimin dhe lëngjet nëpërmjet serumeve.