Në disa raste fëmija mund të belbëzojë. Kjo mënyrë të shprehuri për disa vogëlushë mund të ndikojë në vetëbesimin që krijon si edhe aftësinë për të ndërvepruar me të tjerët.

Cfarë është belbëzimi?

Sipas ekspertëve belbëzimi është një shqetësim që fëmija ka në lidhje me rrjedhshmërinë e artikulimit të fjalëve. Organizata Botërore e Shëndetit e konsideron si një shqetësim në të folur belbëzimin. Sipas tyre fëmija e di shumë mirë se cfarë problemi ka por nuk arrin ta rregullojë duke qënë se bllokohet ose përsërit fjalët.

Simptomat e belbëzimit

  • Fëmija paraqet vështirësi në fillimin e një fjale;
  • Fillon të zgjasë zanoret brenda fjalës;
  • Përsërit shpesh shkronja të caktuara, zanore ose edhe vetë fjalën e plotë;
  • Ka vështirësi në artikulimin e disa zanoreve. Fut pauza në mes të fjalës e cila e bën atë të duket si e ndarë në dy pjesë.
  • Zgjat tingullin “mmmmmmm” mes fjalëve të caktuara.

Vështirësia në të folur mund të shoqërohet edhe me simptoma fizike si dridhja e buzëve apo mjekrës. Pulitja e kapakëve të syve apo edhe tendenca për të shtrënguar grushtat ndërsa flet.

 

Në cilat raste familja duhet të shqetësohet në lidhje me belbëzimin e fëmijës?

Belbëzimi është dicka normale në jetën e fëmijës. Si shqetësim mund të shfaqet ndërsa fëmija është ende duke zhvilluar aftësitë e veta gjuhësore. Nëse këto belbëzime janë minimale dhe nuk krijojnë shqetësime në jetën sociale të fëmijës nuk duhet të shqetësoheni.

Ndër të tjera drejtojuni mjekut nëse:

  • Faza e belbëzimit zgjat për më shumë se 12 muaj;
  • Në familje ka edhe pjesëtarë të tjerë që belbëzojnë;
  • Vështirësia në të folur është shumë e dukshme dhe fëmija fillon të shfaqë tendencën të izolohet.

Në këto raste duhet të shkoni të konsultoheni me mjekun pediatër dhe më pas logoped.