Një nga problemet më të shpeshta me të cilat vajzat adoleshente përballen është cikli menstrual jo i rregullt.

Kur shfaqet cikli i parë tek vajzat?

Shumica e adoleshenteve e kanë ciklin e parë në moshën 10-15 vjecare normalisht mund të ndodhë që një vajzë  të ketë ciklin e parë menstrual edhe më parë ose më pas se kjo periudhë. Pra ju si nëna duhet të mbani mend se periodat do të jenë të ndryshme për adoleshente të ndryshme. Kjo shkaktohet nga fakti se disa vajza e arrijnë më herët pubertetin dhe të tjera më vonë. Megjithatë nëse cikli  i parë menstrual vonon deri pas 16 vjetorit duhet të coni vajzën për një kontroll tek mjeku.

Është normale që një vajzë adoleshente të ketë cikël të crregullt?

Pasi periodat janë shfaqur për herë të parë tek vajza adoleshente, crregulimet mund të jenë normale. Sidomos gjatë 2 viteve të parë mund të vërehen shumë crregullime qoftë në lidhje me kohëzgjatjen ashtu edhe në lidhje me fluksin.

Ndërkaq, ja cfarë është normale që një adoleshente të kalojë gjatë momenteve të para pas shfaqjes së ciklit menstrual:

  • Tek vajzat adoleshente cikli jo i rregullt është normal. Kjo nënkupton që data e ciklit mund të jetë e ndryshme për muaj të ndryshëm. Zakonisht në adoleshencë cikli i dytë shfaqet pas 35-40 ditësh. E në disa raste madje mund të shfaqet edhe pas dy muajsh nga cikli i parë.
  • Flisni me mjekun pas 3 muajsh. Nëse vajza adoleshente ka një mungesë cikli prej 3 muajsh nga cikli i parë, flisni me mjekun dhe bëni vizitë.
  • Tek adoleshentet kohëzgjatja e ciklit ndryshon. Tek disa vajza zgjat vetëm 2-3 ditë dhe në disa të tjera mund të shkojë 5-7 ditë. Kjo është shumë normale përderisa trupi i vajzës është duke u zhvilluar ende dhe brenda saj ndodhin ndryshime.
  • Ndryshimet hormonale tek vajzat adoleshente mund të ndikojnë edhe në crregullimin apo fluksin e ciklit. Pra në varësi të sasisë së hormoneve që trupi i saj prodhon do të ndikohet edhe fluksi i gjakut që del nga trupi i saj.