Endometrioza është një problem shëndetësor shumë i dhimbshëm tek gruaja dhe ndikon fuqishëm në fertilitet. Por fatmirësisht edhe për të ekziston trajtim mjekësor.

Cfarë është endometrioza?

Endometrioza është një patologji gjinekologjike, ku endometriumi (shtresa e brendshme e mitrës, e cila zëvëndësohet çdo muaj me ciklin menstrual) fillon të rritet jashtë mitrës. Shkaku i këtij çrregullimi ende nuk është i qartë, ndonëse janë zhvilluar shumë teori të ndryshme rreth tij, e lidhur kjo edhe me faktin se janë shumë mekanizma të përfshira në këtë patologji.

Më së shpeshti, endometrioza rritet zakonisht në vezore, por mund të prekë edhe zona të tjera siç është zorra apo indet pelvike (pjesa e poshtme e barkut). Këto lezione endometriale shoqërohen me gjakëderdhje kur vjen cikli, njëlloj si endometriumi normal, megjithatë, gjaku bllokohet brenda barkut të femrës, duke shkaktuar dhimbje dhe në disa raste duke formuar kiste të cilat janë të mbushur me gjak  në ngjyrë të errët. Kjo është edhe arsyeja pse kistet endometriotik quhen “kiste çokollatë”.

Shenjat më të shpeshta të endometriozës?

Ndër më të shpeshtat përfshijnë dhimbjet pelvike si edhe krampe të fuqishme. Dhe fatkeqsisht infertiliteti është një prej pasojave më të shpeshta të këtij problemi shëndetësor. Ekspertët tregojnë se gati ½ e grave me endometriozë përballen me vështirësi në të ngjizurën e një fëmije.

Si të rrisni shanset për shtatzani nëse vuani prej endometriozës?

Ende nuk ka asnje evidencë të qartë që tregon si përmirësohet fertiliteti me anë të medikamenteve. Megjithatë mjeku në rastet në fjalë përshkruan mjekime të cilat rrisin nivelin e hormoneve në organizëm. Megjithatë duhet të keni edhe një jetë të shëndetshme.

Ndër të cila:

  • Ruani një peshë të mirë trupore;
  • Konsumoni fruta, perime, drithëra integrale dhe proteina;
  • Bëni aktivitet fizik si ecje, ngritje peshe (në mënyrë të moderuar) si edhe ndiqni klasa aerobie.