Sigurisht që për prindërit nuk është e lehtë të pranojë se fëmija ka autizëm, por nëse do të njihen shenjat e hershme dhe do të diagnostikohet problemi edhe trajtimi do të jetë më efektiv.

Cfarë është autizmi?

Autizmi është një crregullim që shfaqet tek fëmija në foshnjëri dhe mund të shkaktojë tek vogëlushi disa mangësi kryesisht në zhvillimin e të folurit, lojës, dhe ndërveprimit me të tjerët.

Shenjat dhe simptomat janë të ndryshme njësoj si edhe efektet që ka tek fëmija. Disa fëmijë me autizëm kanë dëmtime të lehta të zhvillimit dhe të tjerë mund të kenë mungesa të vështira për t’u kapërcyer. Megjithatë cdo fëmijë që bën pjesë në spektrin e autizmit ka probleme deri në njëfarë mase kryesisht në tre fushat e mëposhtme:

  • Komunikimin verbal dhe jo-verbal;
  • Ndërveprimin me të tjerët dhe botën që e rrethon;
  • Në artikulimin e mendimeve dhe sjelljen fleksible.

Shenjat e hershme:

  • Fëmija nuk bën kontaktin me sy për shembull kur jeni duke e ushqyer apo nëse jeni duke i buzëqeshur;
  • Nuk i përgjigjet emrit të tij apo zërave të familjarëve;
  • Nuk ndjek me sy objektet apo gjestet që kryhen kur dicka lëvizet;
  • Nuk fikson me sy apo nuk shpreh “mirupafshim”, duke përfshirë edhe mangësi të tjera në fushën e komunikimit me gjeste të caktuara;
  • Nuk përpiqet të tërheqë vëmendjen tuaj duke bërë një zhurmë të caktuar;
  • Nuk përpiqet t’ju bëjë ta merrni në krahë apo nuk i përgjigjet përkedheljeve tuaja;
  • Nuk imiton asnjë lëvizje apo shprehi fytyre;
  • Nuk luan me të tjerët, nuk tregon interes apo emocione;
  • Nuk e vë re apo nuk tregon interes nëse ju jeni duke u ndier keq.

Shenjat e alarmit!!!

  • Nga muaji i 6 nuk qesh me askënd dhe nuk tregon shenja gëzimi;
  • Nga muaji i 9 nuk kthen kokën ndaj zhurmave të caktuara, nuk reagon ndaj të qeshurave apo shprehive të fytyrës;
  • Nga muaji i 12 nuk përgjigjet kur e thërrisni në emër, nuk belbëzon, nuk përsërit disa nga gjestet tuaja, nuk tregon me gisht, nuk përpiqet të arrijë dicka;
  • Nga muaji i 16 nuk flet asnjë fjalë;
  • Nga muaji i 24 nuk thotë fraza kuptimplotë të përbëra nga dy fjalë, nuk përsërit atë që i thoni dhe nuk përpiqet të imitojë.

Shenjat e autizmit tek fëmijët që tashmë janë më të rritur:

  • Duket sikur nuk ka interes ndaj personave që e rrethojnë apo ndaj asaj që është duke ndodhur përreth;
  • Nuk di sit ë ndërveprojë me të tjerët, nuk di si të futet në lojë dhe të luajë, nuk di të bëjë shokë;
  • Nuk preferon të preket nga dikush, të merret në krahë, të përqafohet;
  • Nuk shtiret sikur është duke luajtur, nuk futet në lojë grupi, nuk imiton të tjerët, nuk i përdor lodrat në mënyrë kreative;
  • Ka probleme me kuptimin e ndjenjave dhe të shprehurin e tyre;
  • Duket sikur nuk dëgjon të tjerët që janë duke i folur përreth;
  • Nuk tregon interes të ndërveprojë me të tjerët, nuk tregon ineteres në përgjithësi ndaj gjërave (për shembull ndaj vizatimeve apo lodrave).